Kronikë

Vetura në veri refuzon të ndalet, Policia detyrohet të shtijë me armë zjarri

Policia e Kosovës ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një veture në veri të Kosovës, pasi vozitësi i saj kishte refuzuar që të ndalonte për kontroll.

Në njoftimin e Policisë të enjten mbrëma thuhet se ngjarja ka ndodhur të enjten rreth orës 19:00 në fshatin Banje.

Sipas njoftimit, drejtuesi i automjetit posa i ka vërejtur zyrtarët policorë të cilët e kanë sinjalizuar për ndalim, e ka rritur shpejtësinë për të ikur duke rrezikuar jetën e tyre.

“Më datë 9 mars 2023, rreth orës 19:20, përderisa njësia policore e Policisë së Kosovës ndodhej në pikë kontrolli në fshatin Banje në një rrugë ilegale, duke realizuar detyrat dhe autorizimet e saj ligjore në garantimin e sigurisë, aty ka ardhur/qarkulluar një automjet xhip i tipit Audi. Zyrtarët policor në pikë kontrolli sipas procedurave kanë sinjalizuar automjetin me bateri që të ndaloj për kontroll rutinor, por personi i dyshuar (drejtuesi i automjetit) posa ka vërejtur zyrtarët policor të cilët e kanë sinjalizuar për ndalim, ka rritur shpejtësinë për të ikur nga ndalimi duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e zyrtarëve policor, përderisa njëri nga zyrtarët policor me qëllim të shmangies së rrezikut të drejtpërdrejt për jetën e tij dhe zyrtarëve tjerë policor është detyruar që të përdor armën e zjarrit”, thuhet në njoftim.

Policia ka nisur procedurat e hetimit derisa ka ndaluar edhe dy automjete të tjera që dyshohet se lidhen me automjetin e larguar.

“Si vazhdimësi e hetimit gjatë realizimit të detyrave policore, njësitë relevante policore kanë ndaluar dy automjete tjera të cilat kanë ardhur në atë lokacion, e që dyshohet se mund të ndërlidhen me veturën e dyshuar, në te cilat vetura gjendeshin pesë persona, të cilët janë dërguar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftim.