Kronikë

Të akuzuarit për vrasjen e Bedri Rexhepit deklarohen të pafajshëm

Të akuzuarit J.V dhe N.V janë deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me akuzat për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi.

Të dy kanë mohuar akuzat për vrasje dhe për dëmtim të varreve apo kufomave. Të dy të akuzuarit kanë deklaruar se e kanë kuptuar aktakuzën, derisa në pyetjen e kryetares së trupit gjykues, Medie Bytyqi, fillimisht kanë dhënë përgjigje të ndryshme.

“Nuk e pranoj, në asnjërën pikë”, ka deklaruar i akuzuari J.V, ndërsa N.V në fillim ka thënë se e pranon pjesërisht fajësinë. “E pranoj pjesërisht, ndërsa në disa pika jam i pafajshëm. Fillimisht do të doja t’i dëgjoja dëshmitarët në tërësi e pas kësaj kur të më vijë radha do ta jap fjalën time”, ka thënë i akuzuari N.V..

Por, trupi gjykues i përbërë nga Medie Bytyqi, Reshat Kuçi e Ngadhnjim Arrni pas konsultimit vendosi të kërkojë sqarim se në cilën pikë i pranon akuzat e për cilat jo.

Pas kërkesës së trupit gjykues për sqarim, N.V u shpreh se nuk i pranon akuzat pa i dëgjuar dëshmitë e dëshmitarëve.

Alberina Foniqi, avokate e J.V., ka deklaruar se aktakuza është e paqartë dhe e ngritur mbi supozime.

“Mungojnë elementet thelbësore të veprës penale...Nuk është arritur të vërtetohet qartë pretendimi i bazuar mirë se J.V ka kryer veprën penale”, ka thënë ajo.

Shemsedin Piraj, avokat i të akuzuarit N.V, ka thënë se i akuzuari nuk e ka njohur viktimën e se s’ka pasur kurrë kontakt me të.

“Kam ardhur në përfundim se gjendja e tij materiale është stabile dhe solide”, ka thënë Piraj duke e kundërshtuar pretendimin e prokurorisë se vrasja ka ndodhur për motive materiale.

Rexhepi ishte i zhdukur prej vitit 2019. Vetura e braktisur e Rexhepit ishte gjetur në prill të 2022-s, në Komunën e Graçanicës, teksa trupi në fund të shtatorit, në Komunën e Novobërdës.