Dy dëshmitarë të ftuar nga i akuzuari kryesor Z.S. janë paraqitur të hënën para Gjykatës Themelore në Prishtinë, në rastin ku akuzohen 20 policë nga veriu për ryshfet e kontrabandë. Dëshmitarët thanë se kanë dëgjuar fjalë për korrupsion, porse nuk dinë ndonjë gjë më shumë. Të akuzuarin kryesor Z.S., që ishte komandant i stacionit në Zubin-Potok, e kanë vlerësuar të drejtë në raporte të punës me ta
Dy dëshmitarë që kanë punuar bashkë me të akuzuarin kryesor Z.S. kanë dhënë dëshmi të hënën para Gjykatës Themelore në Prishtinë, në rastin ku 20 policë nga Zubin-Potoku akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi.
Ata si dëshmitarë të të akuzuarit kryesor Z.S. thanë se kanë dëgjuar se policët merrnin ryshfet në këmbim të çeljes së rrugës për kontrabandë në veri, porse vetë nuk kanë qenë dëshmitarë të këtyre rasteve.
“A ke dëgjuar për disa tarifa që thuhet se kanë qenë të caktuara për kalimin e veturave, kamionëve dhe kombive?”, ka pyetur kryetari i trupit gjykues Mentor Bajraktari.
Dëshmitari F.M. ka thënë se sa i kujtohet “nuk ka pasur diçka”. “Ka pasur ndoshta fjalë ndërmjet vete... Kolegët e stacionit. Mos e ke lëshuar dikë ose diçka, ose ndonjë njeri që ka qenë në kufi duke pritur në rrugë ilegale tash se ku kanë hyrë... Po, unë zakonisht kam qëndruar në zyrën e hetimeve dhe s’jam përzier shumë me policë”, ka theksuar ai.
Të dy dëshmitarët i vlerësuan korrekte raportet me të akuzuarin Z.S, që ishte komandant i stacionit në Zubin-Potok.
Edhe dëshmitari N.B. tha se ka dëgjuar të flitet për korrupsion nga ish-kolegët e tij, porse nuk ka qenë në dijeni se çfarë po ndodh në terren.
“Thatë më herët se keni dëgjuar disa raste ose shumë raste dhe se ju keni thënë se ai që di diçka që merr (ryshfet) dikush polic, le të shkon e t’i lajmërojë, a ju kuptova drejt”, ka pyetur anëtari i trupit gjykues Musa Konxheli.
Dëshmitari N.B. i është përgjigjur “po”.
“Dëshmitar, ti ke qenë polic aty, ti ke punuar, madje edhe ke punuar me komandantin. Pyetja është shumë konkrete, a janë lajmëruar dhe a janë marrë policia me të gjitha rastet që ndodhnin, që kishte njohuri e që kishte dijeni, apo vetëm me një pjesë të tyre”, ka pyetur Konxheli.
Dëshmitari N.B. ka theksuar se ai ka punuar në logjistikë. “Merrem me punë të logjistikës, me uniformat, me pajisjet, me veturat. As nuk kam punuar në inteligjencë e as në hetime edhe aty-këtu, kam punuar brenda një muaji, 5-6 herë kam dalë në patrullë. E vërtetë është që kam punuar në zyrë të komandantit, po këto si po i kërkoni ju nuk i kam ditur”, ka thënë ai.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale e ngritur në maj të 2020-s ngarkon 20 policët nga Zubin-Potoku, kryesisht nga komuniteti serb, me veprën penale keqpërdorim të detyrës zyrtare e marrje ryshfeti.
Ata dyshohet se për shuma të ndryshme që shkonin nga 20 euro deri në 300 euro lejonin kontrabandën e kafshëve, veturave, cisternave me karburante e kamionëve me produkte të ndryshme.
Fillimisht për këtë rast janë akuzuar 33 veta, por për të dyshuarit si kontrabandistë është ndarë procedura penale. Seanca e radhës për këtë rast është caktuar për 7 mars.