Kronikë

Sekuestrohet marihuanë e heroinë, arrestohen dy persona në Prishtinë

Policia e rajonit të Prishtinës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona të dyshuar nga të cilët ka sekuestruar një sasi të kanabisit dhe një sasi të heroinës.

Të arrestuarit janë A. B., 17-vjeçar si dhe ​S. I., 29-vjeçar, që të dy shtetas të Republikës së Kosovës. Sipas njoftimit të Policisë ndaj tyre është iniciuar hetim për veprën penale, “posedim i paautorizuar i substancave narkotike, psikotrope ose analoge”.

“Një nga kontrollet është ndërmarrë sot rreth orës 02:30, në rrugën "Flaka e janarit" në Prishtinë, nga njësitet e stacionit veriu. Mbështetur mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm, është kryer një kontroll ndaj dy personave të dyshuar, të cilëve u është gjetur dhe sekuestruar sasi e substancës narkotike që dyshohet të jetë e llojit kanabis (marihuana) dhe një sasi heroinë”, thuhet në njoftim.

Ndaj të dyshuarit S.I. thuhet se ka pasur urdhëresë aktive të Gjykatës.

“Me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit, i dyshuari S.I. është dërguar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh, pasi ndaj tij ka rezultuar aktive një urdhëresë e gjykatës, ndërkaq i dyshuari A.B., është proceduar më tej”, thuhet në njoftim.