Kronikë

Arrestohet në flagrancë burri që shantazhoi një grua me postimin e fotografive

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se është arrestuar në flagrancë i dyshuari i cili e shantazhoi një grua se do t’i publikonte fotografi denigruese në rrjetet sociale.

Në njoftimin e prokurorisë sqarohet se i dyshuari donte t’ia merrte gruas 1500 euro duke e kërcënuar me fotografi.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se pas zbatimit të Masave të Fshehta të Hetimit dhe Vëzhgimit nga Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me Njësinë e Hetimeve të Stacionit Policor të Fushë Kosovës dhe asistencës nga Njësitë relevante të Stacionit Policor të Ferizajt, sot në orët e mëngjesit, të 20 janarit 2023, në sheshin e qytetit të Ferizajt, është arrestuar në flagrancë i pandehuri E.H, për shkak të veprës penale ‘Shantazhi’, nga neni 329 paragrafi 1 të KPRK-së, ngase i njëjti me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, e ka kanosur të dëmtuarën, duke i kërkuar shumën prej 1,500.00 € ose në të kundërtën do t’i postonte disa fotografi denigruese në rrjetet sociale, me të cilat do t’ia dëmtonte nderin dhe autoritetin e saj”.

Të dyshuarit i janë gjetur të hollat e pranuara nga gruaja dhe të njëjtat i janë sekuestruar si prova materiale.

Personi me inicialet E.H., është nën masën e ndalimit prej 48 orësh.