Kronikë

Digjen tri vetura në Pejë

Tri vetura janë përfshirë nga zjarri të martën në rrugën “Qerim Muriqi” në Pejë.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka thënë se rasti ka ndodhur në orët e para të së martës, ndërsa nga zjarri janë dëmtuar pesë vetura.

Gashi ka shtuar se janë intervistuar pronarët e veturave, ndërsa nga rasti që është cilësuar si “zjarrvënie”, janë shkaktuar mijëra euro dëme.

“Policia është informuar rreth orës 03:54 se në rrugën ‘Qerim Muriqi’ janë djegur disa vetura. Si pasojë e zjarrit janë djegur tre vetura derisa nga zjarri janë dëmtuar gjithsej pesë vetura. Janë intervistuar pronarët e veturave. Rasti po hetohet nga njësitet kompetente dhe po cilësohet si ‘zjarrvënie’. Jemi në pritje të raportit të ekspertit të zjarreve, për të parë shkaktarin e rastit”, tha Gashi.