Kronikë

Arrestohet një serb që kërkohej për sulm ndaj personave zyrtarë

Një serb, i dyshuar për përfshirje në sulm me armë zjarri ndaj personave zyrtarë, është arrestuar pasditen e së premtes në Jarinjë, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Vepra për të cilën kërkohej M.A. “vrasje e rëndë në tentativë”, qe kryer kohë më parë, sipas njoftimit. KOHA ka mësuar se bëhet fjalë për një rast që ka ndodhur më 13 tetor të vitit të shkuar në një fshat të Zveçanit.

“Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimet dhe aktivitetet e saja në realizimin e objektivave policore, përfshirë edhe arrestimin dhe vënien para drejtësisë të personave të kërkuar edhe ky arrestim dëshmon se askush nuk mund t’i ikë drejtësisë dhe herët a vonë do të përballet me forcën e ligjit”, thuhet në njoftim të Policisë.

I dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në një shkrim në Facebook, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se “sulmet që cenojnë sigurinë e vendit tonë, ndaj qytetarëve dhe ndaj zyrtarëve policorë janë të pa pranueshme”

“Duhet angazhim i gjithsecilit që kryesit e këtyre veprave, pa dallim etnie, të sillen sa më parë para drejtësisë. Policia e Kosovës dje ka arrestuar një qytetar të etnisë serbe për sulm ndaj zyrtarëve policor dhe sot është arrestuar një tjetër qytetar i etnisë serbe i cili po ashtu ka qenë në kërkim për sulme ndaj zyrtarëve policor. Siç edhe jemi zotuar në vazhdimësi, lufta jonë kundër krimit dhe rritja e sigurisë për qytetarët pa dallim nuk kanë alternativë. Do të vazhdojmë angazhimin maksimal që të gjithë kryesit e veprave kriminale e terroriste të sillen para drejtësisë. Me përkushtimin e të gjitha institucioneve, gatishmërinë e zyrtarëve policorë dhe bashkëpunimin qytetar, do i’a dalim mbanë”, ka thënë ai.