Kronikë

Vërejtje gjyqësore ndaj të akuzuarit që tentoi ta sulmonte Rrahman Jasharajn

Descriptive Text

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur fajtor të akuzuarin, Musli Rexhepi, duke i shqiptuar vërejtje gjyqësore, për akuzën se tentoi ta sulmonte fizikisht kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Rrahman Jasharaj, gjatë një mbledhje në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë.

Shpallja e aktgjykimit ndaj të akuzuarit Rexhepi, u bë të hënën nga gjykatësja Namie Krasniqi- Jashanica.

Sipas aktgjykimit, gjykata i ka shqiptuar të akuzuarit vërejtje gjyqësore, me të cilën vërejtje i bëhet me dije të akuzuari Rexhepi se ka kryer vepër penale dhe nëse përsëritë vepra të tjera të tilla penale, gjykata do të shqiptojë një dënim më të rëndë penal.

Shpenzimet e procedurës penale bien mbi barrën e mjeteve buxhetore të gjykatës.

Paraprakisht, në seancën e mbajtur po të njëjtën ditë, është bërë administrimi i provave materiale, për të cilat palët në procedurë nuk patën vërejtje.

Pas kësaj, seanca ka vazhduar me dhënien e mbrojtjes nga i akuzuari Musli Reshepi.

I akuzuari Rexhepi duke u përgjigjur pyetjeve të mbrojtësit të tij, avokatit Tomë Gashi, ka deklaruar se në ditën kritike (5 shtator 2022), kishte shkuar në shkollën “Ismail Qemali” si njeri i thjeshtë, për të pyetur se a po fillon mësimi apo jo.

Më pas, ai ka thënë se nga disa persona në shkollë i kanë thënë që ka të drejtë të hyjë në mbledhjen që po mbahej nga Sindikata, kurse nga disa i kishin thënë që jo, me arsyetimin se nuk është i ftuar.

Tutje, i akuzuari Rexhepi ka thënë se e kanë lejuar që të hyjë në mbledhje të Sindikatës, mirëpo që nga kjo mbledhje kishte dëgjuar shumë pak pasi që kishte qenë në përfundim.

I akuzuari Rexhepi ka theksuar se dëshira e tij ka qenë të ndërpritej greva, por jo me veprimet e tij.

Në anën tjetër, duke u përgjigjur pyetjeve të prokurorit Blerim Igrishta, i akuzuari Rexhepi ndër të tjera ka thënë se pas përfundimit të mbledhjes nga SBASHK-u, nga salla deri në korridor nuk kishte ndodhur asgjë.

Po ashtu, duke u përgjigjur pyetjeve të përfaqësuesit të palës së dëmtuar, i akuzuari ka deklaruar se Rrahman Jasharajn asnjëherë nuk e kishte parë deri në momentin kur ai kishte qenë në gjykatë./ Betimi për drejtësi