Kronikë

Shqetësues numri në rritje i të rinjve prizrenas që përdorin narkotikë

Policia në Prizren ka raportuar se sivjet, numri i rasteve penale që ndërlidhen me narkotikët është rritur për 15 për qind dhe se gjatë 10 muajve të këtij viti janë sekuestruar rreth 120 kilogramë marihuanë. Sipas përfaqësuesve të policisë, veçmas shqetësues është numri i lartë i të rinjve, përfshirë nxënës të shkollave të mesme, që përdorin droga të lehta

Numri i rasteve penale që ndërlidhen me posedimin, kultivimin dhe shitjen e narkotikëve në Komunën e Prizrenit kanë shënuar rritje gjatë këtij viti. Sipas të dhënave të Policisë, rritja e numrit të rasteve të kësaj natyre është për 15 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të shkuar.

Vebih Zekolli, komandant i Stacionit të Policisë në Prizren, para anëtarëve të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi ka bërë të ditur se gjatë 10 muajve të këtij viti janë sekuestruar 120 kilogramë marihuanë dhe sasi të ndryshme të kokainës, heroinës dhe drogave sintetike.

Ai ka thënë se në këtë stacion policor janë hapur 55 raste për personat që kanë poseduar deri në 3 gramë substanca narkotike. Ndërkaq, në stacionin në veri janë evidentuar 13 raste me narkotikë.

“Po ashtu njësia anti-drogë gjatë kësaj periudhe në zonën e Komunës së Prizrenit që përfshin Stacionin Policor Prizren dhe Stacionin Policor Prizren-Veri ka hapur 65 raste të ndërlidhura me narkotikë të të gjitha llojeve, me theks të veçantë marihuanë”, ka thënë Zekolli.

Anëtari i Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, Ertan Simitçi, ka shprehur shqetësimin lidhur me aplikimin e dispozitave ndëshkuese për narkotikët.

“Po mendoj që ndoshta edhe dënimet apo gjobat nuk janë të mjaftueshme, që këta viktimat pas dënimeve të mos i përsërisin gjërat e njëjta”, është shprehur Simitçi.

Anëtari tjetër i Këshillit, Besim Berisha, ka pyetur nëse masat e ndërmarra për parandalimin e shitjes dhe përdorimit të narkotikëve kanë pasur ndonjë efekt pozitiv.

Zekolli nga Policia ka theksuar se rritja e numrit të rasteve ndërlidhet me shtimin e raportimeve nga qytetarët si dhe angazhimit shtesë të policisë për luftimin e narkotikëve. Ai ndërkaq, ka ngritur shqetësimin se numri më i lartë i përdoruesve të narkotikëve janë të rinjtë.

“Sa i përket përfshirjes së personave, kryesisht janë të rinj. Kohëve të fundit, ka 2-3 vjet që edhe nxënës të shkollave të mesme, kryesisht që janë të përfshirë në përdorimin sidomos të këtyre drogave më të lehta, si marihuana e këto”, është shprehur ai.

Gjatë këtij viti, Policia në koordinim me Drejtorinë e Arsimit ka mbajtur ligjërata ndërgjegjësimi për 270 nxënës të tetë shkollave të Komunës së Prizrenit.