Kronikë

Ngrihet aktakuzë ndaj shtatë të dyshuarve për krim të organizuar

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj shtatë personave të dyshuar për krim të organizuar.

Në njoftimin e lëshuar nga Prokuroria, bëhet e ditur se ndaj të pandehurve me inicialet F.U., A.R., F.M., E.M, A.M, E.D. dhe M.V, lidhur me rastin “Mulliri”, është ngritur aktakuzë për kryerjen e veprave penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal te organizuar”, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Kultivimi i bimës se hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”.

Sipas njoftimit, Prokuroria Speciale konsideron se ka prova të mjaftueshme që e vërtetojnë se të pandehurit kanë vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar me hierarki në grup dhe me role të përcaktuara dhe se gjatë hetimeve janë siguruar dhe sekuestruar prova relevante juridike që dëshmojnë dyshimin se të pandehurit i kanë kryer veprat penale me qëllim të përfitimit material të kundërligjshëm.