Policia ka njoftuar të mërkurën se për një javë ka shqiptuar 235 gjoba për kundërvajtje të ndryshme vetëm për mjetet transportuese.
Në njoftimin e lëshuar nga policia thuhet se nga inspektorët e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës janë shqiptuar 39 fletëparaqitje për parregullsi në dokumentacion për ato mjete.
“Përveç aktiviteteve policore në këtë aspekt, Policia e Kosovës apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes të shtuar, të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor, të përshtatin shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës dhe kushtet atmosferike, të mbajnë distancë në mes mjeteve me qëllim të ngritjes së sigurisë në trafikun rrugor”, thuhet në njoftimin e policisë, ku më tej paralajmërohet se për të gjithë pjesëmarrësit në trafik që bëjnë shkelje të rregullave të trafikut, do të ndërmerren masa ndëshkuese.