Kronikë

Drejtorit të Auditimit në SHSKUK i digjet vetura për herë të dytë

Drejtorit të Auditimit në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Musa Vitija i është djegur të premten vetura e dytë brenda tre muajsh. 

Rastin e ka konfirmuar për KOHËN vetë Vitija, i cili ka thënë se është shumë i shqetësuar.

I pyetur nga KOHA nëse ka pasur ndonjë kërcënim, Vitija ka thënë se drejtpërdrejt nuk është kërcënuar nga askush.

“Drejtpërdrejt s’kam pasur ndonjë kërcënim”, është shprehur ai shkurt.

Ndërkaq, sa i përket djegies së veturës së parë që ka ndodhur në gusht të këtij viti, Vitija ka thënë se rasti ka qenë në procedura.

KOHA ka kërkuar informata edhe nga Policia e Kosovës lidhur me djegien e veturës të premten por ende nuk ka marrë një përgjigje.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), i cili ka thënë se djegia ka ndodhur derisa po mbahej mbledhja e Bordit Drejtues të SHSKUK-së dhe ishte duke raportuar drejtori i Njësisë së Auditimit të Brendshëm të SHSKUK-së.

“SHSKUK menjëherë ka njoftuar Policinë e Kosovës dhe Zjarrfikësit të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes. Bordi Drejtues dhe drejtoria e SHSKUK-së shprehen të shqetësuar me këtë rast, meqë djegia e veturës së të njëjtit zyrtar ka ndodhur edhe para disa javësh dhe kërkojnë nga organet kompetente të hetojnë rastin në detaje”, thuhet në komunikatën e SHSKUK-së.