Kronikë

Arrestohen katër të rinj pasi vunë në qarkullim para false në Gjilan

Katër persona janë arrestuar pasi dyshohen për falsifikim të parasë në Gjilan.

Policia në Gjilan fillimisht ka marrë ankesë nga një bankë komerciale në qytet se në një bankomat të kësaj banke janë deponuar para të falsifikuara në vlerë prej 100 euro.

Po ashtu, gjatë një periudhe të shkurtër kohore policia ka regjistruar edhe tri raste të tjera të falsifikimit të parasë.

“Njësiti i Hetimeve të Stacionit Policor Gjilan pas një pune të organizuar mirë operacionale ka arritur që të siguroj prova të mjaftueshme se katër të dyshuar, A.M. (2004), E.D. (2004), L.M. (2004) dhe R.D. (2002) në bashkëveprim kanë vënë në qarkullim në qytetin e Gjilanit bankënota të falsifikuara të vlerës 100 €”, njoftoi policia përmes një komunikate.

Ndaj tyre është ngritur kallëzim penal për veprën penale “Falsifikim i parasë”, ndërkaq katër të dyshuarit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë.