Kronikë

Dhunimi i dy vajzave në Gjakovë, viktimat janë të mitura ndërsa të dyshuarit të moshës madhore

Descriptive Text

Viktimat që raportuan të martën se janë dhunuar në Gjakovë janë të mitura, ndërsa të dyshuarit të moshës madhore.

Këtë për KosovaPress e ka konfirmuar Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, e cila po ashtu tha se janë iniciuar dy raste hetimi për veprën penale “dhunimi”.

Është bërë e ditur se lidhur me rastet në fjalë janë duke u zhvilluar hetime nga njësitet përkatëse të policisë në koordinim me prokurorin përkatës.

“Dje në dy raste të ndara janë arrestuar dy persona të moshës madhore ndaj të cilëve në konsultim me prokurorin përgjegjës janë iniciuar dy raste hetimi për vepër penale ‘dhunimi’. Viktimat në dy rastet në fjale janë të mitura. Me vendim të Prokurorit të Shtetit dy të dyshuarit janë ndalur në mbajtje për 48 orë”, u tha nga Policia.

Ndërsa Yllka Juniku Shehu nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka bërë të ditur se sot gjatë ditës do të parashtrojnë dy kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për dy të dyshuarit.

“Prokuroria Themelore në Gjakovë, sot do të parashtrojë dy kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për dy personat e dyshuar, për veprën penale ‘dhunimi’. Dy rastet janë raste të ndara, dhe të dyja viktimat janë të mitura, ndërsa dy të dyshuarit janë madhor”, ka thënë ajo.

Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh njoftoi sot për dy raste të dhunimit në Gjakovë.

Sipas raportit, njëri rast kishte ndodhur rreth orës 13:00, ku bëhet e ditur se viktima është dërguar për trajtim mjekësor.

“Gjakovë 04.10.2022 – 13:00. Viktima femër kosovare ka raportuar se dy persona të dyshuar të maskuar me dhunë e kanë futur në veturën e tyre dhe kanë dhunuar seksualisht. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor. Pas hetimeve të zhvilluara është identifikuar një i dyshuar kosovar dhe i njëjti është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.

Ndërsa rasti tjetër sipas po këtij raporti, kishte ndodhur pasdite rreth orës 18:00, kur një vajzë ka raportuar se me dhunë është futur me dhunë në veturë dhe është përdhunuar.

“Gjakovë 04.10.2022 – 18:05. Viktima femër kosovare ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar me dhunë e ka futur në veturën e tij dhe kanë kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit pas intervistimit është dërguar në mbajtje”./KSP