Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar të premten se ka identifikuar një lokacion të dyshimtë në Novobërdë ku dyshohet të jetë trupi i zhdukur i Bedri Rexhepit.
Sipas Prokurorisë, janë siguruar prova shtesë lidhur me rastin që dyshohet se është rrëmbim. Janë gjetur, siç thuhet në njoftim, disa mbetje mortore në një zonë kodrinore-malore në Novobërdë.
“Gjatë ditës së sotme, prokurori i rastit së bashku me njësitë policore përgjegjëse, Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), kanë dalë në një zonë kodrinore-malore të Novobërdës dhe gjatë verifikimit të terrenit është arritur të identifikohet një lokacion i dyshimtë me të cilën pas gjurmimit nga njësitë përgjegjëse janë gjetur mbetje mortore (të dekompozuara), të cilat dyshohen se kanë të bëjnë me rastin e “Rrëmbimit” “, vijon njoftimi.
Prokuroria ka thënë se mbetjet mortore do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme për të konstatuar identitetin e tyre.
Bedri Rexhepi ishte raportuar i zhdukur që nga data 8 prill e vitit 2021.