Kronikë

Vdiq një polic në aksident trafiku afër Zveçanit

Një zyrtar policor ka vdekur të mërkurën, në një aksident trafiku që ndodhi në magjistralen Mitrovicë-Zveçan.

Drejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti, ka thënë se aksidenti fatal ndodhi rreth orës 12:30.

Ai njoftoi se polici i ndjerë nuk ka qenë në kryerje të detyrës në kohën e aksidentit.

“I ndjeri ka qenë jashtë detyrës zyrtare, me veturë private. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 12:30 të ditës së sotme. Është në rrugën magjistrale Mitrovicë – Zveçan, që me territor i bie në komunën e Zveçanit”, ka thënë Hoti.