Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se janë arrestuar edhe dy persona, nga pesë të dyshuar, për dhunimin e një 11-vjeçareje në Prishtina.
Paraprakisht, Prokuroria njoftoi gjatë së hënës se ishin arrestuar dy të dyshuar në lidhje me rastin.
Sveçla shkroi në Facebook se ka kërkuar angazhim maksimal për arrestimin e të dyshuarve, derisa shtoi se koordinimi me organet kompetente është i domosdoshëm “sepse nuk ka asnjë dilemë që dënimi ndaj këtyre kriminelëve duhet të jetë maksimal”.
“Nuk duhet dhe nuk do të tolerohet asnjë veprim që cenon jetën, integritetin dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve tanë. Vendi ynë duhet dhe do të jetë vend i sigurt për të gjithë, sidomos për vajzat dhe gratë, dhe nuk ka asnjë alternativë tjetër”, shkroi ministri i Brendshëm.
Pesë persona dyshohet se dhunuan një vajzë 11-vjeçare në Prishtinë, të shtunën, në periudhën kohore 17:30 - 00:30. Deri më tani janë arrestuar katër të dyshuar.
Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala, njoftoi se të martën do të mblidhet me urgjencë Grupi i Përgjigjes Emergjent për rastin e dhunimit ndaj 11-vjeçare.
Shala shkroi në Facebook se mbledhja është ftuar të mbahet në mëngjes, derisa shtoi se pas rastit ka komunikuar me anëtarët e institucioneve kompetente.