Kronikë

Apeli e kthen në rigjykim rastin e vrasjes e në Batllavë

Gjykata e Apelit e ka kthyer edhe njëherë në pikën zero rastin e vrasjes së Gazmend Brahimit, të ndodhur gjatë tetorit të vitit 2021.

Apeli e ka rrëzuar vendimin e shkallës së parë, për dënimin e Baki Brahimit, me 17 vjet e 10 muaj burgim, për vrasjen e djalit të xhaxhait e për veprat penale, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm e armëmbajtje pa leje.

Në vendimin e Gjykatës, të cilën e posedon KOHA, si arsyetim është përdorur mosekzaminimi mjekësor i të akuzuarit dhe mosrespektimi i dispozitave procedurale për pranimin e fajësisë.

Familja e të ndjerit e kanë mirëpritur kthimin në rigjykim të këtij rasti, por kërkojnë që të njëjtit t’i shqiptohet dënim maksimal.

Brahimi tregon se së bashku me 3 fëmijët e saj është larguar nga shtëpia për shkak të rrezikut.

Avokati mbrojtës i familjes së viktimës thotë se presin që të merren parasysh rrethanat rënduese, që kanë paraqitur në ankesat e tyre dhe që të njëjtit t’i shqiptohet dënimi i merituar.

“Ne si mbrojtje presim që Gjykata ta bëjë shqiptimin e dënimit sipas ligjit, duke marrë për bazë të gjitha rrethanat rënduese që veç se i kemi paraqitur përmes ankesës e të njëjtat do të i ritheksojnë përsëri në gjykim, mendojmë që Gjykata do ta ketë parasysh mënyrën e kryerjes së veprës penale, pasojën, dëmin dhe preventiven speciale dhe gjenerale”, thuhet nga mbrojtja.

Në lidhje me këtë çështje, avokati i të akuzuarit, Azem Ejupi, përmes telefonit, ka thënë se presin që Gjykata ta marrë parasysh vendimin e Apelit dhe se ata e kanë mirëpritur kthimin në rigjykim të rastit.

Baki Brahimi u shpall fajtor për shkak se më 18 tetor 2021, në mënyrë mizore dhe me qëllim të përfitimit të dobisë materiale, ka privuar nga jeta djalin e xhaxhait të tij, për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake mes vete. I pandehuri një herë e kishte goditur me veturë të ndjerin, por pastaj është kthyer dhe e ka qëlluar me armë zjarri në kokë viktimën.