Kronikë

Aktakuzë ndaj tre të dyshuarve në Prizren për shmangie nga pagesat doganore

Prokuroria Themelore e Prizrenit ka ngritur të enjten aktakuzë kundër tre të pandehurve, të dyshuar se kanë kryer veprën penale shmangie nga pagesat e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore.

Sipas aktakuzës, të dyshuarit kanë futur ilegalisht në Kosovë mallra dhe më pas i kanë fshehur në lokacione të ndryshme.

“Sipas aktakuzës, prej datës së pavërtetuar deri më datë 02.02.2022, në Prizren, të pandehurit S.E., Y.E., dhe R.E., duke vepruar në bashkëveprim, në lokalet e tyre N.T. “ E.T.”, D.P.T. “S.T.” dhe “G.S.”, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete iu shmangen pagesës së tarifave doganore, kryejnë bartjen e mallrave të ndryshme si: telefona mobil të markave të ndryshme, Usb, Sony Playstation, Hard Disk, kamera sigurie, orë dhe pjesë të telefonave, të cilat mallra i kanë futur në mënyrë ilegale në Republikën e Kosovës, duke iu shmangur deklarimit në Doganën e Kosovës, e të cilat mallra më pas i fshehin në lokacione në ndryshme. Pastaj, këto mallra ia shesin tregtarëve të ndryshëm në qytete të ndryshme të Kosovës, duke përfituar shuma të konsiderueshme materiale në vlerë të parave, me të cilat veprime kanë bërë shmangie nga pagesat e detyrueshme doganore dhe e kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në vlerë prej 17,028.50 euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë të enjten.

Me këtë rast, nga tre të akuzuarit janë sekuestruar: 42 telefona mobil të markave të ndryshme si: iPhone, Samsung Galaxy, Nokia etj., si dhe një numër i konsiderushëm i pajisjeve të tjera të teknologjisë si: Usb, Sony Playstation, Hard Disk, kamera sigurie, orë etj.