Kronikë

Një 22-vjeçare e plagos Vali Corleonen

Një vajzë është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë për vrasje në tentativë. Mësohet se i plagosuri është Princ Valentino Corleone, i njohur shkurt me emrin Vali Corleone. 

Policia e rajonit të Gjilanit njoftoi përmes një komunikate se në orët e hershme të së enjtes nga Qendra Emergjente Rajonale është informuar se ishte sjellë një person i lënduar nga arma e zjarrit.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante. Sipas raportit të mjekut viktima P.C. (1983) shqiptar, shtetas i Kosovës është jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në njoftim.

Nga hetimet e para në vendin e ngjarjes mësohet se e dyshuara në lidhje me rastin është një vajzë 22-vjeçare e cila sipas policisë dyshohet se e ka shkrepur armën.

Për momentin nuk dihen motivet e incidentit.

“Një armë Pistoletë dhe 40 copë fishekë të të njëjtës armë janë konfiskuar në vendin e ngjarjes si prova materiale për Gjykatë”, tha policia.

Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të ngrihet kallëzim penal për “Vrasje në tentativë”.