Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një person, punëtor i një kompanie private në Kosovë, ka raportuar rrejshëm një grabitje.
Sipas njoftimit të Policisë, bërë të enjten mbrëma, i dyshuari nëpërmjet telefonit, ka raportuar se derisa ishte në lëvizje me automjet në autostradë në afërsi të nënkalimit në Duhël, është ndaluar nga një veturë me targa të Shqipërisë dhe i janë grabitur nga tre persona 200 euro.
“Sipas ankuesit, pasi që automjeti i ka dalë përpara dhe e kanë ndaluar, njëri nga ata tre personat e ka nxjerr revolen dhe ia ka marrë 200 euro dhe automjeti i dyshuar ka ikur në drejtim të Prishtinës. Policia, konkretisht patrullat policore dhe hetuesit e Stacionit Policor Suharekë, me urgjencë kanë shkuar në atë drejtim dhe kanë proceduar me rastin. Falë profesionalizmit të policisë, është kuptuar se raportimi është i rrejshëm, gjë që e ka pranuar edhe ankuesi. Në konsultim me prokurorin, kundër ankuesit të rrejshëm hapet rast penal dhe rasti shkon me procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.