Kronikë

Dy shtetas të Maqedonisë arrestohen për shantazh, u kapën në flagrancë

Dy shtetas të Maqedonisë së Veriut janë arrestuar në Gjilan të premten, pasi janë kapur në flagrancë duke marrë 6000 euro nga një person, që sipas njoftimit nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, ishte viktimë e shantazhit.

S.P. dhe M.S., sipas informacionit të prokurorisë, e kishin kërcënuar të dëmtuarin M.S. nga Gjilani se do t’i zbulonin diçka në lidhje me të, e që do t’ia dëmtonte nderin apo autoritetin. Për të mos kryer publikimet, të dyshuarit ia kishin marrë atij shumën prej 200 mijë frangave zvicerane.

Ndërkaq në mbrëmjen e së premtes, të dy janë kapur duke pranuar në flagrancë 6000 euro nga viktima.

Me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë.

Prokuroria ka thënë se do të kërkojë paraburgim për ta.