Kronikë

Adelina Ismaili reagon pas urdhrit të gjykatës për të dhe motrat: S’jemi kriminele

Pasi Gjykata Themelore në Prishtinë udhëzoi Policinë që motrat Ismaili të shoqërohen në Gjykatë për rastin e Enver Sekiraqës, këngëtarja e njohur kosovare, Adelina Ismaili, ka reaguar duke thënë se askush nuk është vënë në kërkim të saj.

Në një ‘story’ të publikuar të mërkurën, në Instagram, Ismaili ka thënë se as ajo as motrat e saj nuk janë kriminele dhe nuk kanë raste në polici.

“Jemi dëshmitare të një rasti dramatik që ka ndodhur para 15 viteve dhe kemi bashkëpunuar me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës për zbardhjen e rastit. Ky rast përsëritet çdo 3 vjet tash dhe nuk merret vendim final”, ka shkruar ajo.

Ismaili më tej ka shkruar se në letrat adresuar gjykatësit, ka thënë se mbetët pas deklaratave që i ka dhënë gjatë viteve 2016-2017 për prokurorin e EUEX-it, Carney dhe se nuk dëshiron që të thirren sa herë që i pandehuri bën apel.

“Ne mund dhe të paraqitemi në gjykatë për t’ju thënë të njëjtat fjalë sikurse është e shkruar në letrat tona, por nuk jemi të interesuara për show mediatik lidhur me këtë rast. Dëshmitë tona i keni në tavolinat tuaja”, ka thënë ajo.

Image

Gjykata ka kërkuar të mërkurën nga Policia që dëshmitaret Adelina, Zanfina dhe Ema Ismaili, të shoqërohen në seancën e radhës në rastin ku Enver Sekiraqa po akuzohet për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës.