Kronikë

Operacioni “Mali” në Kaçanik, arrestohen tre persona për kultivim të hashashit

Prokuroria Themelore në Ferizaj në koordinim me Policinë e Kosovës ka zhvilluar operacionin e koduar “Mali”, të mërkurën, ku pas një hetimi disa mujorë, me urdhër të lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, është bërë kontrolli i shtëpive, banesave dhe objekteve përcjellëse, në fshatrat Ivajë-Kaçanik, nën dyshimin se në të njëjtën shtëpi është duke u bërë kultivimi i bimëve narkotike të llojit “Canabis Sativa”.

​Gjatë kontrollit të shtëpive, janë gjetur 26 paketime najloni të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë të përgjithshme prej 5 kg e 227.6 gram si dhe gjatë këtij operacioni, janë arrestuar tre persona të dyshuar, thuhet në komunikatën e prokurorisë.

Të dyshuarit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Po ashtu, gjatë operacionit prokuroria njoftoi se janë sekuestruar:

- Para të gatshme- njëqind e gjashtëdhjetë (160) euro,

- Telefona mobil,

- Një (1) armë pistolet e llojit Sigsauer,

- Një (1) veturë e titpit Golf 4, ngjyrë e zezë

- Drita (reflektorë),

- Foli alumini, styropor, ventilator të ndryshëm,

- Rezervuar uji, pompë uji,

- Gërshërë, thika,

- Qese najloni për paketim,

- Kamera të sigurisë, DVR, Laptop dhe kartela bankare,

- Vegla pune të ndryshme, termometra digjital, peshore digjitale.