Kronikë

Tre të vdekur në aksidente gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë

Tre persona humbën jetën të dielën në Kosovë, në tri aksidente rrugore, njoftoi Policia e Kosovës në raportin e së hënës.

Një person vdiq në fshatin Babaj i Bokës në Gjakovë, në orën 06:00 të së shtunës, pasi e humbi kontrollin mbi veturën, duke përfunduar jashtë rrugës. Si shkak i lëndimeve të rënda, viktima humbi jetën.

“Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftim.

Në Shupkovc të Mitrovicës së Jugut, një vozitës i motokultivatorit, shkaktoi vetaksident.

“Në vendin e ngjarjes vozitësi është gjetur pa shenja jete. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftimin policor. Aksidenti ndodhi në orën 17:37.

Gjithashtu në njoftimin policor bëhet e ditur se vdiq një vozitës i motoçikletës në Veternik të Prishtinës, pasi u godit nga një veturë me targa vendore, e cila më pas u largua nga vendi i ngjarjes.