Kronikë

Plaçkiti ish-të dashurën nën kërcënim të armës, arrestohet një person në Prizren

33-vjeçari me inicialet L.H., është arrestuar në Prizren, pasi dyshohet se ka kryer grabitje në shtëpinë e ish-të dashurës së tij në orët e para të mëngjesit të së enjtes, ka njoftuar policia.

Raportuesja e rastit, e cila është shtetase e Shqipërisë, ka pretenduar se i dyshuari ka shkuar në banesën e saj, e ka dëmtuar derën e pastaj është futur dhunshëm në dhomën e gjumit dhe nën kërcënimin e armës, ia ka marrë nga qafa një zinxhirë ari, një unazë, një orë dore, dy çanta dhe pasaportën e Shqipërisë.

“I dyshuari ishte larguar nga banesa me një veturë ‘Mercedes’ ngjyrë hiri me targa vendore. Në bazë të provave të besueshme dyshohet se edhe më herët i dyshuari e ka kanosur viktimën, por rasti nuk është raportuar në polici. Për rastin është informuar prokurori i shtetit, i cili urdhëron që rasti të iniciohet grabitje”, thuhet në njoftimin e policisë.

I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me urdhër të prokurorit, është ndaluar për 48 orë.