Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit V.V., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Kanosje”, “Vrasje e rëndë në tentativë”, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Prokuroria ka shpjeguar se i dyshuari ka kërcënuar familjarët e tij se do t’i vrasë, duke tentuar edhe ta vrasë njëri prej tyre.
“Prokuroria njofton se, më 21 qershor 2022, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, i pandehuri, seriozisht i kanos se do t’i privojë nga jeta anëtarët e familjes, përkatësisht nënën, babain, si dhe, motrën e tij. Kanosja ka ndodhur përmes telefonit duke iu thënë se do iu vras të gjithëve, përfshirë edhe fëmijët e motrës së tij. Gjithashtu, më 21 qershor 2022, në Gjakovë, me dashje ka tentuar ta privoj nga jeta vëllain e tij, të dëmtuarin B.V., për shkak të problemeve të mëparshme, në lidhje me ndarjen e pasurisë”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
V.V. kishte kërkuar të takohet me vëllain e tij në zyre, e më pas duke e kanosur me fjalë, me armë zjarri ka gjuajtur disa herë në drejtim të këmbëve të dëmtuarit e pastaj i ka drejtuar armën në fytyrë, ku deri sa i pandehuri tentoi ta ndërronte karikatorin, i dëmtuari arriti të largohej nga vendi i ngjarjes dhe njoftoi policinë.
Ndërkaq ai ka mbajtur pa autorizim armë dhe municion në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ku të njëjtat i janë konfiskuar nga ana e policisë.
Prokuroria ka kërkuar paraburgim prej 30 ditësh.