Kronikë

Kosovari dënohet me 46 muaj burgim dhe dëbohet për shtatë vjet nga Zvicra

Descriptive Text

Një kosovar është dënuar me 46 muaj burgim dhe është dëbuar për shtatë vjet nga Zvicra, pas një aksidenti që shkaktoi në vitin 2019, shkruan të enjten e përditshmja zvicerane Tagblatt. Ai madje për shtatë vjet nuk do të lejohet të hyjë në asnjë vend që është në zonën Schengen.

Kosovarit iu komunikua dënimi nga Gjykata e Qarkut e Dietikonit të mërkurën. 

Më 5 tetor 2019, 22-vjeçari po voziste një BMW kur aksidentoi një Ford Focus në të cilën ishin një grua dhe vajza e saj. Ato mbetën të lënduara rëndë.

Gjatë seancës për rastin, gruaja u shpreh se ende po vuajnë pasojat nga ai aksident dhe jeta e tyre është kthyer përmbys.

Prokurori kërkoi katër vjet burgim dhe dëbim për shtatë vjet nga vendi, ndërsa avokati mbrojtës i të pandehurit kërkoi 20 muaj burgim me kusht, si dhe të shmangej dëbimi.

Në fund, kosovari u shpall fajtor për akuzat e lëndimeve të shumta të rënda trupore dhe mosdhënie të ndihmës urgjente.

Kosovari, përveç dënimit, i ka borxh mbi 200 mijë franga. Sipas gjykatës, 22-vjeçari në parim është përgjegjës për dëmet ndaj gruas, vajzës dhe burrit të saj. Ai duhet t'i paguajë gruas 70 mijë franga plus pesë për qind interes që nga dita e aksidentit. Për vajzën do të paguajë 50 mijë franga plus interes, për burrin 25 mijë franga plus interes. Në borxh përfshihen edhe shpenzimet procedurale e tarifat gjyqësore.

Ai mund ta apelojë vendimin në gjykatën më të lartë në Zvicër.