Kronikë

Të dyshuarit për vrasjen në Ferizaj i caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh

Burg

Foto: Ilustrim

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për të dyshuarin Q.J., i cili dyshohet se e ka vrarë 30-vjeçarin G.H. në orët e para të së shtunës në Ferizaj.

Seanca e Prokurorisë është mbajtur brenda hapësirës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku po trajtohet i dyshuari për shkak të plagëve të marra pasi është plagosur nga një zyrtar policor në vendin e ngjarjes.

“Është mbajtur seanca dëgjimore. Aty ka qenë gjyqtari i procedurës paraprake, kam qenë unë. I është caktuar 30 ditë paraburgimi domethënë proceduralisht krejt në rregull është”, ka thënë kryeprokurori në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, Shukri Jasharaj për Kohën.

Ai ka shtuar se edhe ndaj zyrtarit policor që ka shtënë me armë janë duke u zhvilluar procedurat hetimore në bashkëpunim me Inspektoratin policor.

Vrasja që ndodhi të shtunën në Ferizaj, dyshohet të kenë ndodhur për shkak të djegies së një veture të vëllait të të dyshuarit B.J., dhe se i dyshuari ka pretenduar se vetura i është djegur nga viktima.