Një zyrtar policor i Njësisë së Reagimit të Shpejtë – Veri, është arrestuar për shkak të dëmtimit të provave.
Rasti ka të bëjë me aksionin e djeshëm policor për shkatërrimin e laboratorit të drogës në Zveçan ku edhe ka zbuluar laboratorin për kultivimin e marihuanës me mbi 10 mijë fije bimë të gatshme për t’u shitur ilegalisht në treg.
Provat që kanë qenë aty janë dëmtuar nga zyrtari.
“Për shkak të dëmtimit të provave nga aksioni i djeshëm për shkatërrimin e laboratorit të drogës në Izvor të Zveçanit, nga Inspektoriati Policor i Kosovës arrestohet një zyrtar policor nga Njësia e Reagimit të Shpejtë -Veri dhe dërgohet në mbajtje”, ka shkruar ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Inspektorati Policor i Kosovës më vonë në një komunikatë ka njoftuar se ka marrë informacione për zyrtarin.
“Inspektorati Policor sot në orët e pasdites përmes rrugëve operative kishte pranuar informacione se ky zyrtar policor dyshohet se ka dëmtuar disa kamera të sigurisë dhe pajisje të tjera në afërsi të vendit të ngjarjes ku është zhvilluar dje operacioni i përbashkët anti-drogë i policisë dhe doganës në fshatin Izvor të Zveçanit”.
Zyrtari i arrestuar gjendet në mbajtje për 48 orë.
Nga aksioni i djeshëm u konfiskua drogë në vlerë prej 6 milionë eurosh. Kurse, vlera e pajisjeve të konfiskuara kap shifrën 1.5 milionë eurosh.