1 perditesime
Kronikë e zezë

Një muaj paraburgim ndaj gjakovarit që dyshohet për dhunimin e një të miture

Një muaj paraburgim ndaj gjakovarit që dyshohet për dhunimin e një të miture
Foto: Ilustrim
13:40

Një muaj paraburgim ndaj gjakovarit që dyshohet për dhunimin e një të miture

Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit Sh. Ll., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të dhunimit.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, “në mes të datës 3-5 maj 2022 në Junik në shtëpinë e tij, i dyshuari me përdorim të forcës e detyron të miturën të kryejë akt seksual pa pëlqimin e saj”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake Shaqir Zika, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepra penale të ndjeshme, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, rreziku i ikjes dhe ndikimi në dëshmitarë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Gjakovës.

08:26

Kërkohet një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për dhunim në Gjakovë

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar të premten caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Sh. Ll për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Dhunimi”.

Prokuroria njofton se, në mes të datave 3-5 maj 2022 në Junik në shtëpinë e tij, i pandehuri Sh. Ll., me përdorim të forcës e ka detyruar viktimën H.F., të kryejë akt seksual pa pëlqimin e saj.

“I pandehuri fillimisht e takon dhe përshëndet të dëmtuarën në rrugë, por e njëjta nuk ndalon dhe vazhdon rrugën, ndërsa i pandehuri e përcjell dhe përsëri e takon të dëmtuarën duke e ftuar për kafe në një lokal në Gjakovë. Pasi qëndrojnë për një kohë në lokal, i pandehuri më pas e fut të dëmtuarën në automjet dhe e dërgon në shtëpinë e tij në Junik, dhe gjatë qëndrimit në shtëpi i pandehuri me përdorim të forcës dhe pa pëlqimin e saj tri herë kryen marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën, derisa e dëmtuara arrin që të del nga dritarja e shtëpisë, largohet nga vendi i ngjarjes dhe paraqet rastin në polici”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokurori i rastit ndaj të pandehurit Sh. Ll., ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh.

I pandehuri me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga data 11 maj 2022.