Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona si të dyshuar për përfitim tenderi në vlerë prej rreth 100.000 euro, duke paraqitur referenca të rrejshme.
Sipas njoftimit të Policisë të enjten, ekzistojnë dyshimet se gjatë vitit 2021, pronari dhe i autorizuari i një biznesi kanë përfituar tender nga institucionet e Republikës së Kosovës pa i plotësuar kriteret.
“Lidhur me rastin pas veprimeve hetimore është vërtetuar se të dyshuarit kanë paraqitur si referenca në dosjet e tenderëve në vitin 2021, referenca të cilat nuk i kanë fare të deklaruara, si qarkullimin në Administratën Tatimore të Kosovës dhe qarkullimin Bankar të Falsifikuar në një bankë”, thuhet në njoftim.
Dy të dyshuarit me inicialet S.D., dhe A.D., janë paraqitur të enjten për intervistim nën dyshimin për veprat penale: Falsifikim i dokumenteve dhe keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik.
“Pas përfundimit të intervistimit është njoftuar prokurori i rastit dhe me vendim të tij, të dyshuarit u dërguan në Qendër të Mbajtjes. I dyshuari (A. D.) është dërguar ne Qendrën e Mbajtjes, ndërsa i dyshuari (S. D.) me rekomandim të mjekëve dhe në konsultim me prokurorin e rastit, për shkaqe shëndetësore, dërgohet për trajtim në përkujdesje mjekësore në sigurim të policisë”, thuhet më tej në njoftim.