Një nxënës është ndaluar për 24 orë nga Policia në Gjakovë, pasi i është gjetur një thikë, një pistoletë dhe shtatë fishekë, brenda hapësirave shkollore në gjimnazin “Hajdar Dushi” të martën në këtë komunë.
Zëdhënësi i Policisë, Nysret Xhurkaj, i ka thënë KOHËS se pas kontrollit në këtë shkollë të mesme, është realizuar një bastisje në shtëpinë e të dyshuarit. Edhe aty është gjetur armë.
“Zyrtarët policorë nga Stacioni Policor në Gjakovë në zbatim të planit operativ ‘Siguria në shkolla’, si dhe me kërkesë të DKA-së në Gjakovë dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit është realizuar kontroll për siguri në shkollën e mesme ‘Hajdar Dushi’ në Gjakovë. Gjatë realizimit të kontrollit, në një klasë, te një nxënës i dyshuar është gjetur një thikë, një pistoletë dhe shtatë fishekë të kalibrit 9mm. Në konsultim me prokurorin kujdestar për krime të rënda, është realizuar bastisja në shtëpinë e të dyshuarit në fsh. Babaloq - Deçan, me ç’rast, është gjetur dhe konfiskuar një armë pistoletë me gaz e llojit Gamo PT80, si dhe 14 fishekë të kalibrit 9mm. Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit kujdestar dhe me urdhër të tij, i dyshuari është ndaluar për 24-orë në qendrën e ndalimit policor në Gjakovë”, ka thënë Xhurkaj.
Siç ka mësuar KOHA, gjatë këtij kontrolli policor, përveç pistoletës janë gjetur edhe dy armë të ftohta (thika).
Nga autoritetet është paralajmëruar se kontrollet në shkolla do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim.
-
Edhe një nxënës kapet me armë në Gjakovë
-
Arrestohet një i dyshuari për fajde - aksioni i Policisë çon në gjetjen e disa armëve të tij
-
Nxënësi shkon në shkollë me thikë, lajmërohet në Polici
-
Policia realizon kontrolle në gjashtë shkolla në Vushtrri, sekuestron thika e boks hekuri
-
Kapet me thikë një nxënës i Prizrenit