Kronikë

71 vjet burgim të akuzuarve për vrasjen e para dy vjetëve në Viti

Gjykata Themelore në Gjilan i ka dënuar të hënën (21 mars) me 71 vjet burgim të akuzuarit B.I., S.I., F.I., I.I dhe I.I., me akuzën se kanë kryer veprat penale "vrasje e rëndë" dhe "lëndim i lehtë trupor", derisa i akuzuari E.I. është liruar nga akuzat.

Sipas njoftimit, të akuzuarit, më 2 maj 2019, në orën 09:30, në fshatin Sadovinë e Qerkezëve në Komunën e Vitisë, kanë vrarë personin me inicialet M.I. për shkak të një kontesti pronësor.

“I ndjeri me familjarët e tij dalin që të bisedojnë me të akuzuarit për të arritur një marrëveshje, por të akuzuarit refuzojnë dhe më pas vazhdojnë me fyerje, duke eskaluar situata në konflikt fizik dhe me mjete të forta mprehëse si drurë dhe shufra metalike, e godasin tani të ndjerin në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit. Fillimisht i akuzuari S.I. e godet në pjesën e pasme të kokës, pas tij edhe i akuzuari F. I. e godet pas kokës dhe në fund edhe i akuzuari B.I. godet 2-3 herë në këtë mënyrë”, thuhet në njoftimin e Themelores të hënën.

Gjykata, të akuzuarit B.I., S.I. dhe F.I. i ka dënuar me nga 21 vjet burgim, dënime që do të ekzekutohen pas aktgjykimit të formës së prerë.

Ndërkohë dy të akuzuarit me iniciale të njëjta I. I.,  për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, i ka dënuar me nga 4 vjet burgim.