Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji, në Institucionit e Kujdesit Shëndetësor kundër të pandehurës Q.B. shtetase e Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vrasja në tentativë.
Sipas njoftimit të Gjykatës, bëhet fjalë për gruan e cila dyshohet se ka therë me thikë bashkëshortin e saj.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se e pandehura më 7 shkurt 2022, në shtëpinë e tyre të përbashkët, me dashje ka tentuar që ta privojë nga jeta tani të dëmtuarin, bashkëshortin e saj, në atë mënyrë që të njëjtin e sulmon me një mjet të përshtatshëm për shkaktimin e lëndimit të rëndë trupor – thikë, duke e goditur një herë në pjesën e qafës, ku për pasojë të dëmtuarit i shkaktohen lëndime të rënda trupore, për shkak të cilave detyrohet të kërkoj ndihmën mjekësore fillimisht në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas edhe në QKUK në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt.