Kronikë

30 ditë paraburgim personit që vrau dy njerëz më 2012 në Junik

Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit B.D. për shkak të dyshimit për vrasje dhe plagosje.

“Me datë 16.05.2012, rreth orës 14:25, me dashje dhe për motive të ulëta ka privuar nga jeta të ndjerët B.P dhe V.P, e po ashtu ka plagosur rëndë viktimën N.P, në atë mënyrë qe deri te vrasja kishte ardhur pas një konflikti që kishin me herët këto dy familje”, thuhet në njoftim.

I pandehuri akuzohet për vrasje të rëndë dhe posedim të armëve të paautorizuara.

Të pandehurit B.D. i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë ditësh pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se i njëjti e ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet.

“I pandehuri, që nga data e kryerjes së veprës penale ka qenë në arrati me qëllim që t’i shmanget përgjegjësisë penale dhe i njëjti është arrestuar dhe është ekstraduar vetëm pas bashkëpunimit juridik - ndërkombëtar në mes të autoriteteve kosovare me autoritetet belge andaj, gjykata vlerëson se po qe se i pandehuri gjendet në liri ekziston rreziku që i njëjti të arratiset përsëri e me këtë të pengoj rrjedhën normale të procedurës”, thuhet tutje.

Gjykata ka vlerësuar se po të jetë në liri i pandehuri, ekziston rreziku real që i njëjti të përfundoj veprën e nisur në dëm të viktimës N.P. ose të kryejë vepër të re penale.