Policia e Shqipërisë ka arrestuar një 40-vjeçar nga Tirana dhe dy shtetas të luaj, një nga Libia e një nga Maroku, me dyshimet se ata mbanin në mënyrë të paligjshme dhe nën kërcënim në një banesë, një grup të migrantëve.
Policia ka thënë se në një banesë të përshtatur si hotel, në zonën e Laprakës, janë zbuluar 30 migrantë. Atyre raportohet se u ishin marrë dokumentet.
“M. K., 40 vjeç, banues në Tiranë, M. E., 26 vjeç, banues në Tarablos, Libi, dhe Z. D., 27 vjeç, banues në Casablanca, Marok, për veprat penale: “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”. Në banesën e shtetasit M. K., në katin e parë, të tretë dhe te katërt, shërbimet e Policisë kanë gjetur rreth 30 persona të shtetësive të ndryshme, kryesisht nga Lindja e Mesme, të cilët mbaheshin në këto dhoma, pa u lejuar të dilnin, duke ju marrë mjetet e komunikimit dhe duke i kërcënuar familjarët në vendet e origjinës, për kryerjen e pagesës së transportit të këtyre shtetasve, drejt vendit tonë”, thuhet nga Policia e Shqipërisë.
Ndërkohë janë proceduar penalisht edhe 14 shtetas të huajë, për kalim ilegal të kufireit.
“Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht dhe 14 shtetasit e huaj, për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”. Po punohet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar në të. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale”, thuhet nga Policia.