Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, nga muaji qershor i vitit 2021 ka qenë duke hetuar një rast të mashtrimit nga një agjenci punësimi e krijuar kinse për pajisjen e qytetarëve të Kosovës me viza pune për në shtetin kroat dhe gjerman.
Të dyshuarit për mashtrim janë arrestuar.
Të mërkurën njëri nga të pandehurit, i kërkuar me urdhërarrest është arrestuar dhe në bazë të deklaratës së tij është arrestuar edhe personi i dytë si bashkëkryerës në kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”.
Prokuroria, ka lëshuar aktvendim për ndalim 48 orësh për dy të pandehurit, si dhe ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njëjtëve.
“Këta të pandehur dyshohen se me dashje dhe me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten, i mashtrojnë personat tjerë dhe me këtë i nxisin të dëmtuarit që të kryejnë veprime në dëm të pasurisë së tyre, në atë mënyrë që të pandehurit me qëllim të përfitimit pasuror më datë 22.10.2020 krijojnë biznesin “Timi & Zaimi”, si agjenci punësimi, kinse për pajisjen e qytetarëve të Kosovës me viza pune për në Kroaci dhe Gjermani, nga të cilët kërkojnë plotësimin e dokumentacionit dhe si kundërvlerë paraprake marrin parapagime nga të dëmtuarit në shuma të ndryshme të të hollave”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Prokuroria Themelore e Prizrenit ka bërë thirrje që qytetarët që kanë rënë re e mashtrimit të lajmërohen në prokurori, pasi tha se numri i të dëmtuarve është shumë i madh.