Kronikë

Policia e Kosovës gjuhet me armë zjarri në Podujevë

Policia

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës është gjuajtur me armë zjarri, mbrëmjen e së enjtes në fshatin Dobërdol të Podujevës.

Lajmin për KOHËN e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila ka thënë se rasti ka ndodhur pasi Policia ishte vënë në ndjekje të disa personave të cilët janë futur me forcë në një shtëpi të fshatit.

“Rreth orës 18:20, kemi pranuar informatën se në një shtëpi në fshatin Dobërdol të Podujevës, me forcë janë futur katër persona të dyshuar. Me të marrë informatën policia ka dalë në vendngjarje dhe janë vënë në ndjekje të personave të dyshuar. Në ikje e sipër njëri nga personat e dyshuar ka shtënë me armë zjarri, nuk raportohet për persona të lënduar. Aktualisht policia janë duke punuar në identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar", ka thënë Ahmeti. 

Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka reaguar lidhur me këtë sulm, duke thënë se është akt i papranueshëm, sidomos kur bëhet ndaj organeve të rendit.

“Kam pranuar informatën se gjatë mbrëmjes në fshatin Dobërdol janë sulmuar me armë zjarri pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Sulmi me armë zjarri ndaj kujtdo qoftë është akt i papranueshëm, e veçmas kur ndodhë ndaj organeve të rendit. Me këtë rast e dënoj ashpër sulmin e sontëm ndaj zyrtarëve policorë në fshatin Dobërdol”, thuhet në reagimin e Bulliqit.