Kronikë

Një muaj paraburgim për zyrtarin e MKRS-së, Leotrim Gashi

Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj zyrtarit të MKRS-së, Leotrim Gashi.

Ai akuzohet për veprën penale “marrje ryshfeti”.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake, ka ardhur në përfundim se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, është e bazuar dhe e argumentuar për këtë fazë të procedurës.

“Gjykata ka vendosur për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj zyrtarit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, ka thënë për KOHËN, zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.

Gashi, i cili ishte asistent ekzekutiv i drejtorit për rini në këtë ministri, u arrestua më 11 janar të këtij viti nën dyshimin se ka pranuar ryshfet në dy raste të subvencionimeve e që vlera totale për subvencionin e një biznesi ishte pesë mijë euro, por mund të hetohen edhe subvencionet paraprake.