Kronikë

Aktakuzë kundër 4 personave që dyshohet se blenë vota në Kllokot

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave që dyshohet se kanë blerë vota në Kllokot.

M.K. dhe A.D. akuzohen se më 16 tetor, rreth orës 18:30 në Kllokot, kanë cenuar përcaktimin e lirë të votuesve, duke e shfrytëzuar gjendjen e vështirë ekonomike të votuesit, të pandehurit Xh.B. në këmbim të votave.

“Në këtë mënyrë, të pandehurit M.K. dhe A.D., kanë kryer veprën penale ‘’Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’’, të KPRK-së”, thuhet nga Prokuroria.

Ndërsa, i pandehuri tjetër A.T., i ka dhënë para në shumë prej 200 € të pandehurit Xh.B., me qëllim që i njëjti të siguronte 10 vota për kandidat për kryetar të komunës së Kllokotit.

“Me këto veprime, i pandehuri A.T., ka kryer veprën penale ‘’Dhënia ose marrja e ryshfetit lidhur me votimin’’, të KPRK-së.

“Gjithashtu edhe i pandehuri Xh.B, akuzohet për veprën penale ‘’Dhënia ose marrja e ryshfetit lidhur me votimin’’, pasi ka pranuar para në vlerë prej 200 €, nga i pandehuri A.T”, thuhet nga Prokuroria.