Kronikë

Shqiptarë nga Shqipëria e Kosova menaxhonin trafikun e kokainës në L'Aquila, Itali

Descriptive Text

Grupi merrej me transportin, blerjen, shitjen, posedimin dhe transferimin e kokainës. Kokaina e futur në territor ishte në sasi të mëdha: rreth 2 kilogramë çdo 10 ditë, e ardhur nga Lazio dhe Campania

Goditet karteli shqiptar i kokainës në Itali. Operacioni i policisë italiane i koduar “Kuti magnetike” ka vënë në pranga shtatë persona me kombësi shqiptare nga Shqipëria e Kosova që merreshin me trafik kokaine. Këta persona janë arrestuar në L'Aquila, Itali, ku ndaj 5 prej tyre është vendosur masa "arrest me burg" dhe 2 të tjerë janë në "arrest shtëpie”.

Grupi rezulton me precedentë të mëparshëm penalë në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike. Grupi merrej me transportin, blerjen, shitjen, posedimin dhe transferimin e kokainës. Policia italiane ka shpallur në kërkim 5 persona të tjerë, të cilët dyshohen se janë të lidhur me këtë veprimtari kriminale.

Emrat e peronave të arrestuar nuk bëhen ende me dije. Kokaina e futur në territor ishte në sasi të mëdha: rreth 2 kilogramë çdo 10 ditë, e ardhur nga Lazio dhe Campania. Operacioni u kodua ”Kuti magnetike", pasi policia mundi të vendoste një magnet në paketimet e kokainës për të gjurmuar grupin.

Operacioni filloi në vitin 2018, pas një sekuestrimi të një kilogrami kokainë në L'Aquila. Shitja bëhej në parqe dhe pranë qendrave tregtare, me pak fjalë, në vende të frekuentuara, ku shitjet binin më pak në sy. Hetimi bëri të mundur rindërtimin e fakteve për një periudhë gati dyvjeçare, gjatë së cilës u monitoruan jo vetëm shitjet me pakicë të kokainës, drogë për të cilën kërkesa në L'Aquila është gjithnjë e më e lartë, por edhe i gjithë organizimi. Partneriteti kryesohej nga tre vëllezër nga Shqipëria, të cilët menaxhonin të gjithë trafikun duke përdorur njerëz të tjerë të besuar, shpesh me lidhje gjaku, të cilët ishin të përfshirë në funksione të ndryshme me kujdestarinë, paketimin dhe shitjen me pakicë të kokainës, e lehtësuar edhe nga fakti që bashkëpunëtorët komunikonin me lehtësi në gjuhën e tyre amtare, si dhe duke përdorur terma të koduar dhe duke komunikuar përmes kanaleve Whats-App dhe Telegram, në mënyrë që të lehtësonin aktivitetet e zbatimit të ligjit.

Gjatë operacionit u sekuestrua sasi e madhe kokaine. Prandaj hetimi ia dha një goditje të rëndë furnizimit dhe shitjes së kokainës në qytetin L'Aquila, duke çmontuar një nga organizatat që vitet e fundit ishte krijuar në territor me synimin për të ofruar një shpërndarje të gjerë të drogës. Operacioni i policisë italiane i koduar “Kutia magnetike” pason operacionin “Dobra” (dyfish) i Policisë Kombëtare të Spanjës, në bashkëpunim me Mossos d’Esquadra dhe autoritetet e Gjermanisë dhe Shqipërisë, si dhe me mbështetjen e EUROPOL-it, ku janë arrestuar 107 persona në kuadër të një operacioni kundër një rrjeti kriminal transnacional me origjinë shqiptare.

Operacioni “Dobra” është vijim i aksioneve të mëparshme të autoriteteve ndërkombëtare dhe shqiptare. Operacionet ndërkombëtare “Dobra” dhe “Shpirti” kanë pasuar operacionet ndërkombëtare “Shefi” dhe “Kulmi” të kryera në bashkëpunimin e Italisë dhe Shqipërisë. Këto dy operacione kanë pasur dy momente nga DIA e Barit me ekzekutimin e 80 masave të sigurisë dhe sekuestrimet e pasurive për një vlerë prej 4 milionë eurosh, ku kishin bërë të mundur, ndër të tjera, në vitin 2016 të arrestoheshin “në det” në Polignano dy skafistet me prejardhje nga Shqipëria me një sasi prej një toni lëndë narkotike.

Shqipëria, e para në Evropë për trafik të kokainës

Image

EUROPOL ka renditur Shqipërinë të parën në Evropë për trafikun e kokainës duke lënë prapa Brazilin dhe Kolumbinë. Nisur nga rastet e përsëritura të kapjes së sasive të konsiderueshme të drogës në Portin e Durrësit në kontejner që vijnë nga Ekuadori dhe së fundmi edhe në pikëkalimin kufitar Shqipëri-Kosovë në Morinë (Vërmicë) tregon se Shqipëria është kthyer në “autostradë” të lëvizjes së sasive të mëdha të drogës, ndërkohë që Porti i Durrësit është kthyer në një linjë fikse të tonelatave të kokainës nga Amerika Latine më konkretisht nga Ekuadori.

Duke filluar nga viti 2012, grupet shqipfolëse të trafikut të kokainës kanë zhvilluar ndikim shumë të madh në portet kryesore si në Amerikën e Jugut ashtu edhe në Evropë dhe gjithashtu ishin të angazhuar në shpërndarje në Gjermani, Suedi, Mbretërinë e Bashkuar dhe madje edhe Australi.

Ky është përfundimi që ka arritur EUROPOLI në një raport prej 27 faqesh të publikuar së fundmi. Sipas tij, në periudhën 2018-2020 shqiptarët përbëjnë pjesën më të madhe të personave të arrestuar në Evropë në aksione ku është kapur kokaina. Të dytët vijnë shtetas nga Brazili dhe më pas kolumbianët. Shtrirja e aktivitetit tyre ka arritur në përmasa të frikshme ku shqiptarët kanë kaluar nga ndërmjetës në trafikun e drogës, në porositës e shpërndarës dhe janë bërë drejtues të rrjeteve të mëdha kriminale.

"Që nga viti 2010 Italia, Gjermania dhe Belgjika kanë identifikuar shqiptarët në mesin e dhjetë kombësive të para të individëve të sjellë në kontakt zyrtar me policinë për kokainë. Vende si Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, por në vitet më të fundit një rol i tillë është raportuar edhe nga Austria, Bullgaria, Greqia dhe Zvicra. Italia gjithashtu identifikoi grupet shqiptare si më aktive, që nga viti 2018, midis grupeve të huaja të përfshira në trafikimin dhe shpërndarjen e drogës, dhe vlerësoi se këto grupe bashkëpunojnë me organizatat vendase në këtë drejtim. Në vitin 2018, Italia gjithashtu regjistroi një rritje të kokainës kap sasi në kufijtë tokësorë, veçanërisht në verilindje. Autoritetet italiane ia atribuuan këto rritje trafikimit të ri, dinamika që u atribuohet grupeve ballkanike, siç janë shqiptarët. Edhe në Gjermani aktivitetet e kriminalitetit nga grupe shqipfolës duket se janë të fokusuara në trafikun e drogës, dhe konkretisht kokaina", thuhet në raport.

“Portat” e kokainës në Evropë

Në raportin e EUROPOL-it thuhet se Belgjika dhe Holanda janë “portat” e kokainës në Evropë. Raporti citon burime të autoriteteve belge dhe holandeze të cilat vënë në dukje se grupet shqiptare kanë zgjeruar rolin e tyre në sigurimin e kokainës dhe lidhjen e kontakteve në Amerikën e Jugut. Trafiku i kokainës në Evropë është shtuar dhe po ashtu grupet kriminale që e drejtojnë atë dhe kjo si pasojë e fragmentimit të karteleve të drogës në Amerikën Latine. Raporti thekson se grupet shqiptare të trafikut të kokainës kanë vendosur kontakte të drejtpërdrejta me shpërndarës në Amerikën Latine dhe tashmë kanë rrjetet e tyre të shpërndarjes me shumicë në Evropë.

Që nga viti 2010, Italia, Gjermania dhe Belgjika i kanë identifikuar vazhdimisht shqiptarët në mesin e dhjetë kombësive të para të individëve të proceduar për veprat penale të trafikut të kokainës, por vitet e fundit një rol i tillë është raportuar edhe nga Austria, Bullgaria, Greqia dhe Zvicra.

Që nga viti 2018 Italia ka identifikuar grupet shqiptare si më aktivet ndër grupet e huaja në trafikun e drogave. Autoritetet gjermane vlerësuan se 29 nga 31 grupet e dominuara nga shqiptarët të zbuluar në vitin 2019 merren me trafik droge. Ky është numri i dytë më i lartë pas gjermanëve. Shtetasit me kombësi shqiptare janë gjithashtu të dytët, pas gjermanëve, për veprat penale të lidhura me kokainën.

Greqia raportoi se që nga viti 2017 trafikantët shqiptarë po zgjeroheshin gjithnjë e më shumë në tregtinë e paligjshme të kokainës dhe po punonin me trafikantë në Amerikën Latine për të importuar sasi të konsiderueshme në territorin grek, me qëllim shpërndarjen e saj më tej. Ndër grupet kriminale të përfshira në trafikun e drogës shtetasit shqiptare janë të dytët pas grekëve në Greqi.

Në vitet e fundit fuqia dhe ndikimi i mafisë shqiptare ka shkuar deri në Amerikën e Jugut, në Ekuador, ku ka lënë një gjurmë gjaku rreth qytetit-port të Guayaquil. Midis vendeve prodhuese të kokainës, Perusë dhe Kolumbisë, Ekuadori shërben si një tubacion i madh droge për në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, e ndryshe nga vendet fqinje, Ekuadori nuk ka mafi të drogës në vendlindje. Aty ka banda, por u mungon sofistikimi i nevojshëm për të operuar rrjetet e trafikimit shumëkombësh. Bandat, megjithatë, janë treguar të dobishme për trafikantët ndërkombëtarë, mes tyre dhe shqiptarët, që kërkojnë një pjesë të tortës. Prej të paktën 5 vjetësh, mes Shqipërisë dhe Ekuadorit ekziston një linjë e konsoliduar e trafikut të drogës. Kapja e sasisë rekord prej 613 kilogramësh kokaine në Durrës pak kohë më parë vetëm sa nxori në pah fuqinë e grupeve kriminale që qëndrojnë pas ngarkesave të tilla me vlerë dhjetëra milionë euro. Nga eksportues të kanabisit, tashmë grupet kriminale shqiptare kanë arritur të krijojnë lidhje të drejtpërdrejta me grosistët e Amerikës Latine, duke u kthyer në një furnizues për vende të Bashkimit Evropian.