Policia ka identifikuar tetë persona të mitur, prej tyre disa fëmijë, që kanë hedhur gurë në drejtim të veturave në lëvizje në rrugën “C” në Prishtinë.
Në rrjete sociale kanë qarkulluar video të një grupi të fëmijëve duke hedhur gurë në drejtim të veturave.
“Si rrjedhojë e trajtimit preliminar që u është bërë rrethanave të ngjarjes rruga “C” në Prishtinë ka rezultuar të jetë vendi ku ka ndodhur ngjarja, përderisa janë identifikuar tetë persona të moshës së mitur (disa prej tyre fëmijë ). Nga veprimet e ndërmarra në përputhje me kodin për të mitur, policia ka evidentuar elementet që kanë karakterizuar sjelljen e të sipër cekurve dhe në koordinim me prokurorin e shtetit ka vijuar më tej”, thuhet nga Policia e Kosovës.
Policia ka njoftuar se deri më tash nuk ka marrë asnjë ankesë për dëmtim prone për rastin në fjalë. Porse i ka bërë thirrje qytetarëve të paraqiten në stacion policor nëse kanë qenë viktima.