Departamenti i hetimeve pranë Policisë së Kosovës të martën gjatë ditës ka realizuar dy operacione policore, të cilat kanë rezultuar me arrestimin e pesë personave të dyshuar të përfshirë në vepra penale.
Njësitet policore kanë bastisur një shtëpi në fshatin Gllogovicë të Prishtinës, në të cilën ishte duke banuar një i dyshuar shtetas i Shqipërisë, nën dyshimin se i njëjti kultivon dhe përpunon bimë narkotike të kanabis stativa.
“Gjatë kontrollit në shtëpi dhe në objekte për rreth, nuk është gjetur asgjë e dyshuar, ndërsa në një pyll afër një përroi është gjetur një plantacion i mbjellë dhe i punuar me kanabis stativa, me 31 bimë të kultivuara kanabis stativa, me gjatësi deri në 2.40 metra, disa mjete për ujitje dhe një pompë dore për spërkatje të bimëve”, njoftoi PK-ja.
I dyshuari u dërgua në mbajtje për përfshirje në veprën “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”.

Ndërsa, operacioni i dytë është realizuar në Podujevë, nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorinë e shtetit, i cili ka rezultuar me arrestimin e katër personave të dyshuar. KOHA ka raportuar sot se një noter i përfshirë në rast është arrestuar me tre të tjerë për falsifikim të dokumentave për të tjetërsuar një parcelë.