Gjykata Themelore në Ferizaj, ka caktuar një muaj paraburgim kundër të pandehurit A.S. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale në bashkëkryerje “vrasje e rëndë”.
Bëhet fjalë për vrasjen e M.O. 18-vjet e cila dyshohet se u vra nga D.K. për motive xhelozie. I njëjti dyshohet se ndaj viktimës kishte ushtruar dhunë për shkak se dyshonte se viktima e kishte tradhtuar me djalin e dajës së tij.
Ndërkaq A.S. dyshohet të ketë marrë pjesë në ushtrimin e dhunës fizike dhe psikike ndaj viktimës.
“I pandehuri më 22 gusht 2021, në Ferizaj, në banesën e të pandehurit D.K., me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta-xhelozie, për shkak se i pandehuri D dyshonte se e ndjera M.O. e kishte tradhtuar me djalin e dajës së të pandehurit D., për këtë arsye i pandehuri D, një natë përpara, ka ushtruar fillimisht dhunën psikike, e pastaj edhe dhunën fizike, e cila ka vazhduar edhe ditën kritike, derisa e ndjera ka ndërruar jetë, ndërsa i pandehuri A.S., gjatë gjithë kohës ka qenë i pranishëm, në vendin e ngjarjes, e i cili edhe ka marrë pjesë në ushtrimin e dhunës fizike dhe psikike, me këtë ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në kryerjen e veprës penale, gjegjësisht vdekjen e të ndjerës, dhe më pas të njëjtën e dërgojnë dhe e lënë në spitalin e përgjithshëm në Ferizaj, pa shenja jete, ndërsa dy të pandehurit ikin në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftim.
Njoftohet se sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit të parapara nga fakti se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer vepren penale për të cilën dyshohet dhe atë në bashkëkryerje me të pandehurin D.K. që dyshimi i bazuar rrjedh nga provat materiale të grumbulluara deri në këtë fazë të procedurës, të evidentuara edhe në raportin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, nga deklarata e vet të pandehurit A.S. e dhënë deri në këtë fazë të procedurës penale.