Kronikë

Dy të mitura u sulmuan seksualisht, njëra në Prishtinë e tjetra në Skenderaj

Në Policinë e Kosovës është raportuar për dy sulme seksuale të ndodhura më 21 dhe 22 korrik në dy qytete të ndryshme.

Në Skenderaj, të enjten është arrestuar një person për sulm seksual ndaj një të miture.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak të dyshimit se e kishte sulmuar seksualisht viktimën e mitur kosovare. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, njoftoi PK-ja.

Ndërsa, në Prishtinë të mërkurën dyshohet se një person sulmoi seksualisht një të mitur.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se ka kryer veprën e cekur. Viktima femër kosovare (e mitur) është intervistuar në prezencë të zyrtarit të QPS-së, ndërsa i dyshuari pas intervistimit në konsultim me prokurorin është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e PK-së.

Të dyja rastet po hetohen nga Policia e Kosovës.