Kronikë

30 ditë paraburgim burrit që rrahu gruan dhe vajzat e tij

Descriptive Text

30 ditë paraburgim i janë caktuar një personi nga Gjykata Themelore në Prizren për veprën “lëndim i lehtë trupor” dhe “dhunë në familje”.

A.H., më 20 korrik kishte rrahur bashkëshorten e tij me grushte.

“Me datë 20 korrik, në orët e mëngjesit në Prizren, në shtëpinë e tij familjare me dashje përdor forcën ndaj të dëmtuarës – bashkëshortes së tij, në atë mënyrë që pas disa mosmarrëveshjeve paraprake bashkëshortore, i pandehuri e pështynë në fytyrë duke i thënë fjalët ‘pse nuk po lajmërohesh me kohë’ dhe në ato momente e kapë viktimën dhunshëm dhe e rrëzon për toke, dhe duke e mbajtur e godet me grushte në pjesën e kokës dhe të qafës, si dhe e tërheqë për flokësh, kështu duke i shkaktuar lëndim të lehtë trupor”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.

Por, jo vetëm gruan, i pandehuri ka ushtruar dhunë fizike edhe te vajzat e tij.

“Gjithashtu i pandehur A.H., me dashje kryen dhunën dhe keqtrajtimin fizik e psikologjik ndaj të dëmtuarve - vajzave të tij, ashtu që të njëjtat shohin babanë e tyre duke ushtruar dhunë fizike ndaj nënës, të dëmtuarat fillojnë të qajnë dhe në ato momente i pandehuri i sulmon të njëjtat duke i goditur me shuplaka fytyrës, me ç’ rast tek të dëmtuarat shkakton frikë, stres psikologjik, ankth dhe pasiguri”.

Gjykata e ka parë të domosdoshme masën e paraburgimit të tij për shkak se siç thotë ajo, ekziston rreziku që i pandehuri ka shprehur këmbëgulsi “që me çdo kusht ta përfundojë veprën e filluar”.