Kronikë

40 ditë paraburgim për këngëtaren Fjolla Morina

40 ditë paraburgim i ka caktuar Gjykata Themelore e Prishtinës këngëtares Fjolla Morina me dyshimet për trafikim më armë dhe arratisja nga vendi i paraburgimit.

Masa e paraburgimit do llogaritet prej momentit kur Morina është arrestuar me 17 korrik 2021.Avokatja e Morinës Fehmie Gashi Bytyçi ka konfirmuar për KOHËN se Morinës i është caktuar masa prej 40 ditëve.

“Por përveç kërkesës prej Interpolit nuk ka dokumentacion shtesë që ka dërguar shteti kërkues në këtë rast Shqipëria.Andaj konsiderojmë se nuk ka bazë ligjore sepse aktgjykimi nuk ka formën e prerë dhe është në kundërshtim me praktikat gjyqësore sepse për një armë në Kosovë dënohen me gjobë. Lënda është në Gjykatën e Apelit në Shkodër dhe ky ekstradim nuk mund të ndodh sepse është në kundërshtim me ligjin për bashkëpunim ndërkombëtarë” ka thënë Bytyçi-Gashi.

Fjolla përballet me akuzën e rëndë për trafikim të armëve dhe municionit në Shqipëri. Këngëtarja ishte arrestuar më 19 shtator të vitit 2020 në pikën kufitare të Morinës, me dy armë me vete në makinë. Së bashku me të ishte i dashuri i saj dhe shoferi.

Më 20 janar ajo u arratis pasi, nga burgu, gjykata e Kukësit vendosi që hetimet ndaj këngëtares të vijonin në arrest shtëpie. Banesa ku Morina qëndronte me qira ishte në Kukës. Policia shkoi për kontroll, por nuk e gjeti në banesë dhe kështu nisi hetimet.