Një infermier i urgjencës në QKMF të Dragashit është sulmuar mëngjesin e sotëm derisa ishte duke përfunduar ndërrimin e natës.
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës përmes një reagimi dërguar mediave ka bërë të ditur se sulmi ndaj infermierit të urgjencës në QKMF të Dragashit N.H ka ndodhur sot rreth orës 07:30 min.
Ai sipas FSSHK-së është sulmuar verbalisht me fjalë fyese dhe ofenduese nga ana e një pacienti i cili ka shkuar për të marrë shërbim shëndetësor.
“Kjo gjë nuk ka përfunduar me kaq me ç’rast pacienti së bashku me djalin e tij i kanë dal në pritë në rrugë dhe e kanë sulmuar fizikisht infermierin në fjalë të cilit i kanë shkaktuar lëndime trupore. Me këtë rast infermieri N.H është dërguar me urgjencë në Spitalin e Prizrenit ku ka marrë ndihmën mjekësore pasi që i njëjti siç edhe ka deklaruar në polici ka pësuar lëndime ne kokë dhe në gjunjë” është thënë më tutje në reagimin e FSSHK-së.
Si shenjë reagimi nga ana e punëtorëve shëndetësor në oborrin e QKMF-së së Dragashit është mbajtur një protestë e cila ka zgjat nga ora 9:00 deri në ora 10:00.
Sulmin e ka dënuar edhe Zyra Regjionale në Prizren ka reaguar duke shprehur shqetësimin lidhur me sulmin fizik ndaj infermierit të urgjences në QKMF të Dragashit.
Federata ka theksuar se veprime të tilla ndaj punëtorëve shëndetësor janë dënueshme, të patolerusheme dhe kërkohet nga organet relevante kompetente që të merren me rastin në fjalë duke i vendos para drejtësisë sulmuesit dhe njëheri punëtorëve shëndetësor t’iu ofrohet siguri më e madhe në vendin e punës.