Kronikë

I caktohet një muaj paraburgim të dyshuarit për dhunimin e një të miture në Gjilan

Foto: Ilustrim

Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit S.D. me nënshtetësi serbe, nën dyshimin se ka kryer veprën penale të dhunimit të një të miture.

Sipas Themelores, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri nga muaji prill deri në fillim të muajit qershor të vitit 2021, në vazhdimësi në një fshat të Komunës së Kamenicës, “në shtëpinë e tij e ka detyruar të miturën të kryejë akt seksual pa pëlqimin e saj”.

I pandehuri edhe pse e ka ditur se e dëmtuara është nën moshën 14 vjeçare, të njëjtën disa herë e ka detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale, thuhet në njoftim.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, me qëllim të sigurimit të kushteve sa më normale për zhvillimin e procedurës penale.